Me datë 12 qershor të vitin 2007, Këshilli Bashkiak i qytetit të Burrelit votoi unanimisht 100%, për të shpallur “Qytetar Nderi” doktorin, Sali Kurti. Si mjek i qindra e mijërave qytetarëve, si profesionist i fushës dhe si njeri human, mori këtë vlerësim të rrallë për kontributin e tij në shërbimin stomatologjik të rrethit të Matit.
Me punën dhe talentin e vet, ai la gjurmë tek shumë pacientë, të cilët ia kanë shprehur ngahera mirënjohjen mjekut Sali Kurti, por kjo mirënjohje institucionale ishte si një gur i çmuar mbi kurorën e sukseseve të njëpasnjëshme profesionale të doktorit. Këtë e shpreh qartazi edhe motivacioni i titullit “Qytetar Nderi”, ku theksohet: “Për kontribut të shquar në forcimin dhe konsolidimin e shërbimit stomatologjik të qytetit të Burrelit dhe më gjerë.
Bashkia e qytetit Burrel organizoi edhe një ceremoni të posaçme në Shtëpinë e Kulturës, për të bërë dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi”. Në këtë ceremoni, përveç familjarëve, merrnin pjesë edhe personalitete të rëndësishme të pushtetit vendor, të tillë si: kryetari i Bashkisë i asaj kohe, Z. Skënder Lleshi, si dhe i gjithë stafi i këshillit bashkiak. Aty merrnin pjesë edhe shumë qytetarë dashamirës, të cilët prej vitesh i kishin besuar shëndetin e tyre dr. Sali Kurtit.